Muzika tradicionale shqiptare

Nina-nana ose ninulla
Ky zhanër shquhet nga një radhë tiparesh lëndoro-substancialë e strukturoro-formalë të veçantë, si:  përmbajtja thellësisht lirike, melodika e ndjeshme recitative, sistemi modal/tonal diatonik i gjymtë, metrika/ritmika gjysmë ose krejtësisht e lirë, karakteri a cappella, etj.  Tipare të tillë dëshmojnë arkaizëm.  Pra, lashtësia shprehet qartë përmes vetë strukturës modale/tonale të nina-nanës.

Vajtimi ose gjama
Eshtë interesante të shënohet se, vajtimi ose gjama, ndonëse nga pikëpamja e përmbajtjes ndryshon rrënjësisht me nina-nanën ose ninullën, në plan strukturoro-formal, shquhet nga tipare të përafërta, në mos të njëjta, me të.  Tipare themelorë të vajtimit ose gjamës, si:  melodika e ndjeshme recitative, sistemi modal/tonal diatonik i gjymtë, metrika/ritmika gjysmë ose krejtësisht e lirë, karakteri a cappella, etj., në mënyrë aksiomatike, nxjerrin në pah lashtësinë e këtij zhanri.

Kënga maje-krahi ose kushtruese
Ky zhanër shquhet nga tipare të përafërt lëndoro-substancialë e strukturoro-formalë me vajtimin ose gjamën, si:  përmbajtja thellësisht epike, forma tepër lakonike, melodika e ndjeshme recitative, sistemi modal/tonal diatonik i gjymtë, metrika/ritmika gjysmë ose krejtësisht e lirë, karakteri a cappella, mënyra karakteristike e interpretimit, vetë funksioni i posaçëm shoqëror i saj në jetën e malësorit geg, etj.  Kështu, sërish lashtësia shprehet qartë përmes vetë strukturës modale/tonale të këngës maje-krahi.

PER ORIGJINEN E MUZIKES TOSKE E LABE
Nëse muzika tradicionale një-zërëshe shqiptare bën jetë kryesisht në Gegëri (dialekti muzikor geg dhe një pjesë e dialektit muzikor qytetar–grupimi muzikor qytetar një-zërësh), muzika tradicionale shumë-zërëshe shqiptare ekziston përgjithësisht në Toskëri (dialekti muzikor tosk, dialekti muzikor lab dhe një pjesë e dialektit muzikor qytetar–grupimi muzikor qytetar shumë-zërësh).  Muzika shumë-zërëshe e dialektit tosk, muzika shumë-zërëshe e dialektit lab dhe ajo e dialektit qytetar përfaqësojnë së toku një ndër dëshmitë më të spikatura të talentit artistik të popullit shqiptar.  Krahas muzikës një-zërëshe të dialektit geg dhe të dialektit qytetar, ajo (muzika shumë-zërëshe toske, labe, qytetare) përbën një përmasë të rëndësishme brenda tërësisë së muzikës tradicionale shqiptare.  Kultura muzikore shumë-zërëshe shqiptare është shquar gjithmonë nga një gjallësi dhe densitet i madh.  Si bashkëudhëtare e ditëve të gëzuara e të trishtuara të popullit shqiptar, ajo ka simbolizuar vazhdimisht një art të dashur për të.  Duke pasqyruar aspekte të ndryshëm të historisë, jetës dhe kulturës së popullit, muzika tradicionale shumë-zërëshe ka luajtur një rol të rëndësishëm edukues:  shoqëroro-atdhetar dhe artistiko-estetik.  Në këtë mes, pa dyshim që, ndikim të veçantë, ushtronte edhe mënyra kolektive e interpretimit të saj.  Si për opinionin e ngushtë shkencoro-artistik, ashtu edhe për opinionin e gjerë shoqëror, muzika tradicionale shumë-zërëshe nuk përfaqëson vetëm një monument kulturor të së kaluarës, por, në të njëjtën kohë, edhe një dukuri bashkëkohore me ndikim të fuqishëm mbi artdashësit.

Isua, i cili përfaqëson një tingull të vazhdueshëm, tingull që është qendra modale/tonale ose qendra e gravitetit të pjesëve muzikore, në varësi të mënyrës së përftimit–nëse ai përftohet me anë të zërit njerëzor, apo me anë të instrumenteve muzikore–, mund të ndahet në dy kategori kryesore:  zanore e instrumentore.  Duke qenë një element i pazëvendësueshëm i muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, isua zanore haset edhe në kultura muzikore të kombeve, popujve e grupeve të tjerë etnikë të botës.  Krahas muzikës tradicionale shumë-zërëshe të disa popujve ballkanikë, kujtoj, gjithashtu, muzikën tradicionale shumë-zërëshe të Gjeorgjisë, stilin muzikor polifonik të ashtuquajtur “të kënduarit me grykë” të Mongolisë, muzikën tradicionale shumë-zërëshe indiane, etj.  Notat që përdoren për ison në muzikën indiane janë dy:  qendra modale/tonale dhe kuinta e pastër mbi të (Do-sol).

PER ORIGJINEN E MUZIKES QYTETARE
Origjina, kohëlindja, mosha e muzikës tradicionale qytetare shqiptare vështirë se mund të përcaktohet në mënyrë të sigurtë.  Sidoqoftë, duhet mbajtur mirë parasysh se, një rol të pazëvendësueshëm në lindjen, rritjen, zhvillimin dhe kristalizimin e përfytyrës tërësore lëndoro-substanciale e strukturoro-formale të saj, kanë luajtur formacionet tradicionalë instrumentorë të qyteteve të Gegërisë e të Toskërisë (aheng, grup, saze, orkestrinë, orkestër, ansambël, etj.).  Në qytetin e Shkodrës (Gegëri), orkestrinat tradicionale janë quajtur aheng (njëjës) ose ahengje(shumës).  (Në këtë qytet, edhe repertori i këngëve tradicionale qytetare njihet thuajse me të njëjtin emër:  këngë të ahengut qytetar shkodran.  Mirëpo repertori  i këngëve tradicionale të dasmës njihet me një emër tjetër:  këngë ose valle të kënduara të dasmës shkodrane.)  Sakaq, në qytete të tjerë të Gegërisë (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Prizren, Gjakovë, Pejë, etj.), formacionet tradicionalë instrumentorë janë quajtur thjesht orkestrinë (njëjës), ose orkestrina (shumës).  Më në fund, në të gjitha qytetet e Toskërisë (Pogradec, Korçë, Ersekë, Leskovik, Përmet, Berat, Lushnje, Fier, Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë, Konispol, etj.), orkestrinattradicionale janë quajtur saze(njëjës e shumës.)

Comments

Popular posts from this blog

Dasmat Shqiptare

Ushqimet Shqiptare